Elon Musk, themeluesi i “Partisë së Amerikës”, ka tronditur skenën politike amerikane me njoftimin për krijimin e një force të tretë që synon “80% të votuesve të qendrës”. Por sipas një analize të “Washington Post”, nisma e tij përballet me gjashtë sfida kyçe:
1. Sistemi zgjedhor amerikan – Rregulli “fituesi i merr të gjitha” penalizon partitë e treta, duke e bërë përfaqësimin thuajse të pamundur pa fituar shtete të tëra. Çdo shtet ka barriera të ndryshme ligjore për regjistrimin në fletën e votimit.
2. Historia kundër partive të reja – Rastet e suksesit jashtë dy partive kryesore janë të rralla. Asnjë kandidat i pavarur nuk ka fituar ndonjëherë presidencën.
3. Strategji e paqartë për zgjedhjet afatshkurtra – Musk ka përmendur betejën e Leuktrës si frymëzim, por nuk ka një plan konkret për organizim në terren apo rekrutim kandidatësh.
4. Audiencë e paorganizuar – Edhe pse Musk pretendon se përfaqëson një shumicë të heshtur, ekspertët politikë theksojnë se kjo pjesë e elektoratit nuk ka kohezion apo strukturë politike.
5. Aleanca të dobëta – Largimi nga Trump dhe raportet e tensionuara me republikanët kanë kufizuar kapitalin politik të Musk. Ndërtimi i një partie kërkon rrjet social dhe politik, jo vetëm para.
6. Durimi, pika e tij e dobët – Musk është i njohur për nisma të mëdha por lëvizje impulsive. Ekspertët dyshojnë nëse ai do të ketë durimin për të zhvilluar një lëvizje që mund të kërkojë shumë vite për sukses real.
Në fund, “Washington Post” konkludon se ndonëse Musk ka potencial për të trazuar ujërat e politikës amerikane, suksesi i tij varet më shumë nga ndërtimi i një strukture të qëndrueshme sesa nga emri i tij i njohur.


