Një ngjarje e rëndë është parandaluar ditën e sotme në Tiranë.
Bëhet fjalë për një tentativë vetëvrasjeje. Një 68-vjeçar nën efektin e alkoolit thuhet se hipi në tarracën e një objekti 4-katësh dhe kërcënonte se do hidhej nga aty.
Për rrjedhojë, policia pas marrjes së njoftimit, ndërhynë menjëherë për t’i mbushur mendjen që të zbresë.
Pasi arritën ta zbrisnin nga tarraca mësohet se i moshuari u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore.
Njoftimi i Policisë
Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon një ngjarje në rrugën “Niko Avrami”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, ndërhynë menjëherë për të ndihmuar një 68-vjeçar që kishte hipur në tarracën e një objekti 4-katësh dhe kërcënonte se do të hidhej nga aty.
Pas ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi Q. Z., i cili dyshohet se ishte në efektin e alkoolit, u zbrit nga tarraca dhe u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore. Paraprakisht dyshohet se motivi i rastit është konflikti që ka ky shtetas me familjarët e tij, për ndarjen e pasurisë, çështje e cila është trajtuar më herët nga Policia dhe është referuar në Prokurori.
Veprimet hetimore vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.