Në prag të samitit ndërkombëtar për klimën, COP30, drejtuesi i tij, diplomati brazilian André Corrêa do Lago, ka ngritur alarmin për një formë të re dhe më të rrezikshme të mohimit që kërcënon përpjekjet globale për të frenuar krizën klimatike.
“Nuk kemi më të bëjmë me ata që mohojnë shkencën e klimës. Tani përballemi me ‘mohimin ekonomik’, një strategji e heshtur por e fuqishme që synon të ndalojë transformimin e domosdoshëm të ekonomisë globale drejt neutralitetit klimatik,” deklaroi ai për The Guardian.
Sipas Corrêa do Lago, ky kundërshtim i ri vjen nga grupe me interesa të mëdha financiare që përpiqen të bllokojnë politikat e reduktimit të emetimeve të karbonit, duke e paraqitur tranzicionin si të papërballueshëm ekonomikisht.
Ai thekson se kjo qasje është edhe më e vështirë për t’u luftuar se sa mohimi klasik shkencor, pasi fshihet pas gjoja argumenteve racionale ekonomike dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi vonesat në zbatimin e politikave klimatike urgjente.
“Ky sabotim nuk është vetëm ideologjik – është strukturor dhe i organizuar. Nëse nuk adresojmë këtë ‘mohim të ri’, rrezikojmë jo vetëm të dështojmë në përmbushjen e objektivave klimatike, por edhe të thellojmë pabarazitë dhe krizat sociale që lidhen me ndryshimet klimatike,” shtoi ai.
COP30 do të mbahet këtë vit në Brazil dhe pritet të jetë një nga samitet më vendimtare për përcaktimin e hapave të ardhshëm në luftën globale për klimën.

