Site icon Informohu siç duhet

Pano Soko jep dorëheqjen nga “Nisma Thurje”: Një turpërim i pamerituar për votuesit, një pikë-thyerje e pakthyeshme

Panajot Soko ka njoftuar tërheqjen e tij nga çdo funksion dhe angazhim politik brenda partisë “Nisma Thurje”, pas ngjarjeve të fundit që ai i konsideron si një “turpërim të pamerituar” për qytetarët që besuan tek kjo forcë e re politike.

Në një deklaratë të gjatë publikuar në Facebook, Soko thekson se koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” dështoi t’i përfaqësojë denjësisht 65 mijë votuesit që mbështetën alternativën e listave të hapura. Sipas tij, mandati i vetëm i këtij koalicioni i shkoi një personi që as nuk e kërkoi, as nuk e meritoi, duke e quajtur këtë një tradhti të drejtpërdrejtë ndaj premtimeve dhe votës së qytetarëve.

Ai shton se, pavarësisht përpjekjeve për të ndërmjetësuar konfliktin brenda partisë, nuk arriti të ndalë shpërbërjen e asaj që ishte ndërtuar me vite si një model ndryshe politik. “Në vetëm një javë, arritëm të shkatërrojmë gjithë punën shumëvjeçare për ndërtimin e një alternative me fytyra dhe ide të reja, larg intrigave dhe luftës për karrige,” shkruan ai.

Soko thekson se do të vijojë angazhimin e tij në jetën publike si qytetar aktiv, sidomos në çështjet ekonomike dhe kundër korrupsionit, por jo më si pjesë e politikës së organizuar. Ai përmbyll deklaratën duke shprehur keqardhje për zhgënjimin ndaj qytetarëve: “Pas kësaj pikë-thyerje, nuk i shoh dot më njerëzit në sy.”

Exit mobile version