Një tjetër incident i rrezikshëm është regjistruar në festivalin e famshëm të San Ferminit në Pamplona të Spanjës, ku një burrë është goditur me brirë nga një dem dhe shtatë të tjerë janë plagosur gjatë vrapimit për të shpëtuar.
Sipas autoriteteve, gjashtë prej tyre u dërguan menjëherë në spital vetëm dy minuta pas fillimit të garës, e cila përfshin një rrugë 850 metra të gjatë dhe mund të zgjasë deri në katër minuta. Mijëra persona marrin pjesë çdo vit në këtë event që njihet për rrezikshmërinë e tij. Demi më i rëndë këtë vit, Zalagarda, peshon 610 kilogramë.
Festivali, që daton shekuj më parë dhe u bë i njohur botërisht nga romani i Ernest Hemingway-t “Dielli gjithashtu lind”, ka shënuar deri më tani 16 viktima në historinë e tij.
Ceremonia hapëse e njohur si “Chupinazo” mblodhi mijëra persona të veshur me të kuqe e të bardhë në rrugët e qytetit, ndërsa festimet pritet të zgjasin disa ditë me tetë gara të tjera që do të pasojnë.


