Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka nisur t’u thotë privatisht bashkëpunëtorëve të afërt se JD Vance është në krye të garës për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, madje ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur publikisht nëse Vance vendos të kandidojë.
Lajmi u raportua nga POLITICO, duke cituar dy burime pranë administratës amerikane. Komentet e Rubios konsiderohen si një sinjal i hershëm i betejës së brendshme që ka nisur në kampin republikan për trashëgiminë politike pas Donald Trumpit, më pak se një vit pas fillimit të mandatit të tij presidencial.
Sipas një burimi të afërt me diplomatin amerikan, “Rubio e bëri të qartë se JD Vance do të jetë kandidati republikan nëse ai e dëshiron këtë.” Ndërkohë, vetë Donald Trump i ka përmendur shpesh Vancen dhe Rubion si dy pasardhësit e tij më të mundshëm, madje ka sugjeruar kohët e fundit se dyshja mund të kandidojë bashkë në të njëjtën biletë zgjedhore.
Edhe pse të dy politikanët këmbëngulin se ruajnë marrëdhënie miqësore dhe nuk ekziston rivalitet mes tyre, spekulimet për garën e ardhshme presidenciale janë shtuar ndjeshëm.
Një tjetër burim nga Shtëpia e Bardhë ka pohuar se pritshmëritë aktuale janë që Vance të kandidojë për president dhe Rubio si zëvendëspresident.
Sipas një sondazhi të POLITICO të zhvilluar nga 18 deri më 21 tetor, JD Vance gëzon një avantazh të qartë mes votuesve që mbështetën Trump në vitin 2024 – 35% e tyre duan ta shohin si kandidat në 2028. Ndërsa Rubio ka marrë vetëm 2% të mbështetjes, dhe 28% e të anketuarve deklaruan se do të preferonin rikandidimin e vetë Trumpit, pavarësisht kufizimit kushtetues të mandatit presidencial.


