Site icon Informohu siç duhet

Pak ditë nga zgjedhjet, shteti mblidhet në urgjencë, çfarë po ndodh?!

Në prag të zgjedhjeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zhvilloi një takim të nivelit të lartë në ambientet e KQZ-së me drejtues të institucioneve kyçe të rendit dhe drejtësisë: Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela, kreun e SPAK-ut Altin Dumani dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të koordinuar masat për parandalimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të ligjit zgjedhor.

Përfaqësuesit institucionalë diskutuan mbi masat konkrete për të siguruar një proces të qetë, të sigurt dhe të besueshëm. U ndanë të dhëna mbi kallëzimet e bëra për shkelje të mundshme të Kodit Zgjedhor dhe u theksua nevoja për një reagim të shpejtë dhe efektiv nga prokuroria dhe policia.

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte votimi nga jashtë vendit – një komponent i ri që kërkon koordinim të ngushtë për të garantuar sigurinë dhe vlefshmërinë e votës së emigrantëve shqiptarë.

Në përfundim të takimit, krerët e institucioneve vizituan Qendrën Operacionale Kundër Krimeve Zgjedhore në KQZ, ku janë të pranishëm përfaqësues të SPAK dhe Prokurorisë. Takimi nënvizon angazhimin e autoriteteve për të mbrojtur standardet demokratike dhe të drejtën e votës për çdo qytetar.

Exit mobile version