Site icon Informohu siç duhet

Operacioni “Ura”/ Zbardhen bisedat në SKY ECC: “Ana me burrin e saj” paralajmëruan për kontrollin e karabinierëve

“Operacioni ‘Ura’ ka zbardhur me detaje një rrjet të sofistikuar trafikimi heroine Shqipëri–Itali, ku aktorët shqiptarë dhe italianë, përmes pseudonimesh dhe aplikacionesh të koduara, kanë zhvilluar aktivitet të qëndrueshëm kriminal, tashmë të dokumentuar përmes provave të pakundërshtueshme.”

Operacioni u zhvillua nga autoritetet italiane dhe shqiptare kundër një rrjeti kriminal të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Dosja përfshin përgjime të realizuara përmes aplikacionit të enkriptuar SKY ECC, ku zbulohet mënyra e komunikimit dhe rolet e anëtarëve të grupit.

Në fokus të hetimeve janë çifti italian Cesare Giliberti dhe Annalisa Ronghi, të cilët dyshohet se kanë blerë heroinë nga shtetasit shqiptarë Nuredin Kiptiu, Agron Ganaj dhe Adi Coba. Një bisedë e datës 4 gusht 2020 zbardh se “Ana me burrin e saj” kishin njoftuar Kiptiun për një kontroll të kryer nga karabinierët në shtëpinë e tyre, ku ishte sekuestruar DVR-ja e sistemit të kamerave të sigurisë.

Pikërisht nga këto të dhëna, hetuesit italianë kanë arritur të identifikojnë çiftin Giliberti–Ronghi si blerësit e drogës. Dorëzimi i heroinës kishte ndodhur më 28 korrik 2020, në banesën e tyre në Putignano, dhe ishte konfirmuar më pas edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe pozicionimi i celularëve të të përfshirëve.

Në dosje paraqitet me detaje edhe roli i Nuredin Kiptiut, i njohur me nofkat “Nuro”, “Blaki”, “i ziu” apo “cigani”, i cili rezulton të ketë qenë një ndër figurat kyçe të trafikut. Ai përdorte dy PIN-e në SKY ECC për të komunikuar me anëtarët e tjerë të grupit dhe lëvizjet e tij janë ndjekur përmes përgjimeve telefonike, ambientale dhe pamjeve të sigurisë.

Përgjimet kanë zbuluar gjithashtu se Kiptiu përdorte dy adresa – një vilë në zonën San Giorgio në Bari dhe një banesë sociale në Via Salvemini – ku dyshohet se fshihte drogë dhe para. Bisedat mes të dyshuarve tregojnë për ndarje të qartë rolesh, pseudonime dhe kujdes ekstrem për të shmangur autoritetet.

Operacioni “Ura” mbetet një ndër goditjet më të mëdha të autoriteteve në bashkëpunim italo-shqiptar kundër krimit të organizuar.

Exit mobile version