Vijojnë goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të prostitucionit në qytetin e Durrësit. Policia ka finalizuar fazën e 13-të të operacionit policor të koduar “STORM”, si rezultat i të cilit është arrestuar në flagrancë një shtetase armene, e dyshuar si organizatore e aktivitetit të paligjshëm.
Gjatë operacionit, i zhvilluar pas një hetimi dyjavor me metoda speciale, u procedua penalisht edhe një shtetase 22-vjeçare nga Peruja, si dhe tre shtetas shqiptarë nga qarku i Durrësit, për veprën penale “Prostitucioni”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset e huaja kishin marrë me qira dy apartamente, një në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, dhe një tjetër në zonën e Plazhit, lagjja nr. 13, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit. Gjatë ndërhyrjes së policisë, shtetaset refuzuan të hapnin dyert e banesave, të cilat u hapën me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pasaporta, shuma parash, karta telefoni dhe blloqe shënimesh. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

