Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga autoritetet italiane ka çuar në arrestimin e gjashtë personave, mes të cilëve edhe shtetas shqiptarë. Aksioni policor u finalizua me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike: 7 kilogramë marijuanë, 150 gram kokainë, 100 gram hashash, si dhe 51 mijë euro para të gatshme.
Sipas mediave italiane, operacioni u koordinua nga Gjykata e Pordenones, e cila lëshoi masa sigurie dhe urdhra kontrolli ndaj të dyshuarve me kombësi dominikane, shqiptare dhe italiane. Të arrestuarit akuzohen për përfshirje në një shoqatë kriminale të strukturuar, e cila merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e drogës në shkallë të gjerë.
Hetimet, të mbështetura nga Policia e Shtetit dhe njësitë speciale lokale, zbuluan se grupi kriminal ishte aktiv kryesisht në zonën e Pordenones, ku rezulton të jenë kryer mbi 1500 raste të shitjes së lëndëve narkotike. Gjatë hetimeve u realizuan gjithashtu edhe 7 arrestime në flagrancë.
Në kuadër të operacionit, dy persona u ndaluan në Perugia falë bashkëpunimit me Skuadrën Mobile vendore. Njëri prej të dyshuarve, i lokalizuar në Fontanafredda, është vendosur nën masën e paraqitjes periodike pranë Policisë Gjyqësore, ndërsa një tjetër në Vajont është urdhëruar të qëndrojë në arrest shtëpie.
Ndërkohë, për dy nga të dyshuarit, të cilët rezultojnë ende të pakapshëm, autoritetet janë në proces për të lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare.
Operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të detajuar, që nxori në dritë ekzistencën e një rrjeti të mirëorganizuar për trafik droge në këtë zonë të Italisë veriore.