Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përfunduar operacionin policor të koduar “Book”.
Në këtë operacion është arrestuar shtetasi B. F., 43 vjeç, i cili jeton në Divjakë. Ai akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”.
Sipas hetuesve, B. F. dyshohet se ka mashtruar një 56-vjeçar nga Italia dhe ka përvetësuar shumën prej 23,000 eurosh duke premtuar të botonte për të një libër me poezi. Po ashtu, akuzohet se ka shantazhuar viktimën me disa video personale, duke kërkuar para për të mos i publikuar ato në rrjetet sociale.