Një tjetër goditje ndaj trafikut të drogës në Firence: policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, një grua 38-vjeçare dhe një 25-vjeçar, të cilët akuzohen për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi disa ditor, ku forcat e rendit vëzhguan lëvizjet e 38-vjeçares. Policia konstatoi një takim të dyshimtë me një të ri, i cili hyri në banesën e saj dhe doli pas pak minutash me një çantë të zezë. Sjellja e kujdesshme dhe tentativat për të shmangur vëmendjen e bënë atë subjekt kontrolli.
Gjatë ndalimit, në çantë u gjetën gjashtë blloqe të mbështjella me plastikë blu me mbishkrimin “357”, të cilat rezultuan të ishin kokainë. Në të njëjtën kohë, gruaja mbërriti në vendngjarje dhe tentoi të largohej me shpejtësi, por u ndalua pak metra më tej.
Kontrollet e mëvonshme në banesë zbuluan edhe 14 pako të tjera kokainë, të fshehura në një dollap, ndërsa në një kasafortë të kamufluar pas një pikture u gjetën edhe 11,450 euro cash. Sasia totale e drogës së sekuestruar është rreth 23 kilogramë, e ndarë në 20 pako.
Të dy të ndaluarit janë dërguar në burgun Sollicciano në pritje të konfirmimit të masës së sigurisë. Autoritetet theksojnë se fajësia e tyre dhe vlefshmëria e akuzave do të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor në vijim.

