OBSH tha se po shqyrton kandidatët për vaksina dhe regjimet e disponueshme të barnave që mund të përdoren për të ndaluar shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, i cili ka vrarë 131 persona.
“Ne po shqyrtojmë se cilët kandidatë për vaksina ose trajtime janë të disponueshme dhe nëse disa prej tyre mund të përdoren në këtë shpërthim.”- u tha gazetarëve Anne Ancia, përfaqësuese e OBSH-së në Republikën Demokratike të Kongos.
OBSH-ja e ka shpallur shpërthimin e etheve hemorragjike shumë ngjitëse në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar dhe sot ka mbledhur komitetin e saj të emergjencës për të diskutuar krizën shëndetësore.
Nuk ka vaksina ose trajtime të miratuara për llojin Bundibugyo të Ebolës, i cili është përgjegjës për shpërthimin aktual dhe vret 40% deri në 50% të rasteve. Megjithatë, një vaksinë e quajtur Ervebo, e prodhuar nga Merck, është përdorur kundër llojit Zaire dhe është treguar se ofron një farë mbrojtjeje në testet në kafshë. Mediat e huaja shkruajnë se, mundësia e testimit të kësaj vaksine dhe opsioneve të tjera do të jetë në rendin e ditës të takimit të sotëm të komitetit të OBSH-së. Megjithatë, Anne Ancia thotë se ekspertët ndërkombëtarë konsiderojnë se vaksina për llojin Zaire nuk mund të përdoret në kontekstin e menaxhimit të epidemisë aktuale./Radar.al


