Site icon Informohu siç duhet

Obama rrëzon akuzat e Trump për tradhti: Qesharake dhe shpërqendruese

Zyra e ish-presidentit amerikan Barack Obama ka reaguar ashpër ndaj akuzave të ngritura nga Donald Trump dhe aleatët e tij republikanë, të cilët kanë pretenduar se Obama ka kryer “tradhti” në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në një deklaratë për mediat amerikane, zëdhënësi i Obamës i cilësoi këto akuza si “të çuditshme, qesharake dhe një përpjekje të dëshpëruar për të shpërqendruar vëmendjen publike nga problemet serioze që po përballon aktualisht vetë Trump”.

“Zyra jonë, zakonisht, nuk i përgjigjet absurditeteve dhe dezinformimeve të vazhdueshme që dalin nga kjo Shtëpi e Bardhë,” thuhet në deklaratë, “por këto pretendime janë mjaft të egra për të merituar një reagim.”

Akuzat ndaj Obamës vijnë në një moment kur Trump dhe mbështetësit e tij po ringjallin polemikat e vjetra rreth hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës. Sipas kritikëve të tij, kjo lëvizje është një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga skandalet dhe akuzat që rëndojnë mbi vetë ish-presidentin republikan.

Ndër më të spikaturat është lidhja e mundshme e Trump me të ndjerin Jeffrey Epstein – financieri i dënuar për krime seksuale, i cili vdiq në burg në vitin 2019. Edhe pse vdekja e tij u shpall zyrtarisht vetëvrasje, teoritë e konspiracionit nga segmentet më të djathta vazhdojnë të pretendojnë se ai mund të jetë vrarë për të mos zbuluar emra të tjerë të përfshirë në rrjetin e tij të shfrytëzimit seksual.

Exit mobile version