Gazetari investigativ shqiptar, Artan Hoxha, u ndalua në kufirin grek në Kakavijë, pasi autoritetet e shpallën atë përjetësisht person non grata dhe i ndaluan hyrjen në Greqi.
Në sportelin e kontrollit të pasaportave, Hoxhës iu komunikua se hyrja nuk i lejohej për shkak se konsiderohej “rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”. Ai iu mor pasaporta dhe i vendosën një kryq në vulën hyrëse, duke e mbajtur për rreth një orë në ambientet e Policisë greke. Në dokumentin zyrtar thuhet se ai “është karakterizuar si person i padëshirueshëm dhe konsiderohet i rrezikshëm për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së”.
Autoritetet greke i thanë Hoxhës se vendimi për shpalljen non grata është marrë në fillim të vitit 2024, në kohën kur në Shqipëri u përfol çështja e Fredi Belerit. Gazetari deklaroi për Top Channel se nuk ishte i befasuar nga vendimi dhe se ai lidhej me qëndrimet e tij si gazetar, të cilat sipas autoriteteve greke, “kishin qenë për vite me radhe kundër interesave të shtetit grek”.
Ky nuk është rasti i parë që gazetarët shqiptarë shpallen non grata nga Greqia. Më parë, në vitin 2012, një sanksion i ngjashëm iu vendos edhe gazetarit të Top Channel, Marin Mema.

