Në një rrëfim të sinqertë e të ndjerë, këngëtari i njohur shqiptar Ermal Meta zbulon një kapitull të panjohur të jetës së tij – atë të atësisë që nisi jo me lindjen e një fëmije, por me një lidhje shpirtërore që lindi tre vite më parë me dy vajza adoleshente nga një jetimore në Shqipëri.
Ermali dhe partnerja e tij Chiara kishin kohë që vizitonin dhe ndihmonin një shtëpi për vajza dhe gra në nevojë. Pikërisht aty, ata njohën dy vajza 15-vjeçare që shumë shpejt u bënë pjesë e zemrës së tyre. Edhe pse ligjërisht nuk mund të bëheshin kujdestarë për to, për shkak se nuk ishin të martuar, dashuria e tyre për vajzat nuk u ndal.
“Kur u larguan pas pushimeve me ne, ndjeva boshllëk. U mbylla në banjo dhe qava si fëmijë. Kuptova që nuk mund të jetoja më pa to,” rrëfen ai.
Tani që vajzat do të mbushin 18 vjeç, do të kenë mundësinë të jetojnë me Ermalin dhe Chiarën në Itali. Për artistin, ky moment është si një ëndërr që bëhet realitet.
“Për ne ato janë vajzat tona prej tre vitesh. I kemi dashur që në momentin e parë,” thotë Ermali, i emocionuar.
Ai tregon gjithashtu edhe për momentin kur vajzat mësuan se Chiara ishte shtatzënë. Kishin frikë se do të linin pas dore, një pasojë e dhimbshme e përvojës së tyre në jetimore. Por përgjigjja e Ermalit ishte e menjëhershme: “Nuk ndryshon asgjë. Thjesht do të keni një motër më shumë.”
Sot, Ermal Meta është baba i tre vajzave – një prej tyre biologjike dhe dy që i zgjodhi me zemër. Dhe dashuria që jep për to është po aq e thellë dhe e vërtetë.