Këngëtari Robert Berisha ishte i ftuar mbrëmjen e kaluar në emisionin Rudina, ku foli hapur për jetën personale dhe planet profesionale. Një pjesë e veçantë e intervistës u përqendrua te marrëdhënia e tij me ish-bashkëshorten, këngëtaren Nora Istrefi.
Roberti theksoi se, pavarësisht ndarjes që ka ndodhur disa vite më parë, ata kanë arritur të ruajnë një marrëdhënie shumë të mirë, gjë që ai e konsideron të rëndësishme, sidomos për vajzën e tyre, Renee. “Edhe sikur të mos ishte Renee, do të më kishte qenë shumë e vështirë të isha në armiqësi me Norën, pas gjithë viteve që kemi kaluar bashkë,” shtoi ai.
Kur moderatorja e pyeti për mundësinë e një ribashkimi, Roberti nuk e përjashtoi idenë, duke lënë gjithçka të hapur:
“Jam i lirë, jam i fokusuar në punë, jam duke bërë albumin tim të parë pas 10 vjetëve me 12 këngë të reja dhe jam përkushtuar shumë në atë drejtim. Kam qejf të jem pak i lirë dhe po e vë re se nuk jam i gatshëm dhe nuk do të kisha qejf të lëndoja të njëjtin person dy herë.”
Ai komentoi edhe unazën që i kishte dhuruar Norës dhe që kishte tërhequr vëmendjen e publikut. Roberti sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një gjest simbolik nga disa miq të tij, i cili do të mbahej më pas nga vajza e tyre. “Nëse bashkohemi, bashkohemi, por për unazë nuk ka nevojë, s’ka nevojë të bëjmë harxhime,” tha ai me humor.
Çifti ka një vajzë 11-vjeçare, Renee, ndërsa martesën e tyre e përfunduan në vitin 2019, pas rreth një dekade së bashku. Megjithatë, deklaratat e fundit të Robertit kanë ringjallur shpresat e fansave për një ribashkim të mundshëm në të ardhmen, duke lënë gjithçka në dorën e fatit dhe zgjedhjeve personale.

