Site icon Informohu siç duhet

“Nuk e di si është gjallë”, Sekretari i Shëndetësisë flet për dietën e Donald Trump

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka komentuar me tone të drejtpërdrejta zakonet ushqimore të presidentit Donald Trump, duke i cilësuar ato si të pashëndetshme dhe të çrregullta, pavarësisht se, sipas tij, presidenti gëzon një gjendje të mirë fizike.

Në një intervistë në podcast, Kennedy tha se Trump ushqehet shpesh me ushqime të shpejta dhe pije dietike. “Ai ha shumë McDonald’s, karamele dhe pi Diet Coke gjatë gjithë kohës. Kur udhëton me të, të krijohet ideja se po e mbush veten me helm gjatë gjithë ditës. Nuk e di si është gjallë, por është”, u shpreh ai.

Sipas Kennedy-t, Trump justifikon konsumimin e ushqimeve të shpejta gjatë udhëtimeve me faktin se u beson korporatave të mëdha dhe i konsideron ato më të sigurta për të shmangur rrezikun e sëmundjeve. “Ai thotë se i ha këto ushqime vetëm kur është në rrugë, sepse nuk dëshiron të sëmuret”, shtoi Kennedy.

Megjithatë, Sekretari i Shëndetësisë theksoi se, pavarësisht dietës së diskutueshme, presidenti është në formë të mirë fizike. “Në përgjithësi, mendoj se ai ha mjaft mirë dhe ka një shëndet të jashtëzakonshëm. Nuk e kupton si ecën, e jo më të jetë personi më energjik që kemi takuar ndonjëherë”, tha ai.

Kennedy përmendi gjithashtu një vlerësim mjekësor nga Dr. Mehmet Oz, i cili, sipas tij, ka konstatuar se Trump ka nivele jashtëzakonisht të larta testosteroni për moshën e tij. “Ai tha se ka nivelin më të lartë të testosteronit që ka parë ndonjëherë tek një person mbi 70 vjeç”, u shpreh Kennedy.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë publikoi edhe rezultatet e një skanimi MRI, ku thuhej se Trump është në “shëndet të shkëlqyer”. Mjeku i tij personal, Sean Barbabella, deklaroi se sistemi kardiovaskular i presidentit është në gjendje shumë të mirë, imazhet e barkut janë normale dhe se “të gjitha organet kryesore duken të shëndetshme dhe të mirë-perfuzuara”.

Exit mobile version