Juventusi ka hapur bisedimet me klubin francez Lille për transferimin e sulmuesit anësor kosovar, Edon Zhegrova, raporton Corriere dello Sport.
Bardhezinjtë shpresojnë që në këtë operacion t’u vijë në ndihmë edhe ish-bashkëlojtari i shqiptarit në Lille, Jonathan David, i cili këtë verë ka kaluar te “Zonja e Vjetër”. Objektivi i klubit torinez është të forcojë repartin ofensiv përpara mbylljes së merkatos, krahas tentativës për rikthimin e Randal Kolo Muani nga PSG.
Megjithatë, Juventusi nuk është i vetëm në garë. Interes të fortë për 26-vjeçarin ka shfaqur edhe Olympique Marseille, që shihet si rivali kryesor për nënshkrimin e tij.
Emri i Zhegrovës ka qenë në orbitën e Juventusit që prej verës së vitit 2024, kur drejtues ishte Cristiano Giuntoli, por atëherë u vendos të investohej tek Nico Gonzalez dhe Francisco Conceiçao. Interes për kosovarin kishte treguar edhe Napoli gjatë dimrit të kaluar, duke e parë si zëvendësues të mundshëm për Khvicha Kvaratskhelian, i cili u transferua më pas te PSG.
Tashmë, me Damien Comolli në krye të strategjisë së merkatos bardhezi, Zhegrova është rikthyer fuqishëm në skenë. Madje, sipas mediave italiane, largimi i mundshëm i Nico Gonzalez do të hapte hapësira të reja për afrimin e tij.
Radar.al


