Site icon Informohu siç duhet

Një tjetër 5-vjeҫar bashkëpunimi NRW-Maqedonia e Veriut

Partneriteti mes landit NRW dhe Maqedonisë së Veriut nisi në vitin 2021 dhe lidhi përmes projekteve konkrete bashkitë dhe komunat mes dy shteteve.

“NRW takon Ballkanin Perëndimor” ishte aktiviteti që shënoi suksesin e pesë viteve të bashkëpunimit ndërmjet Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut, një partneritet që pritet të vazhdojë edhe për pesë vite të tjera.

Në mjediset e Bashkisë së Bonit, delegacioni i Maqedonisë së Veriut u takua me përfaqësues të lartë të politikës vendase. Ministri i Shtetit i landit Nordrhein-Westfalenpër Çështjet Evropiane, Nathanael Liminski, priti homologun maqedonas për Çështjet Evropiane, Bekim Sali.

Ministri Liminski theksoi se bashkëpunimet më të ngushta ndërkombëtare janë për Evropën, për Gjermaninë dhe për landin Nordrhein-Westfalen, pjesë e përgjigjes ndaj pasigurive gjeopolitike në rritje dhe një sinjal i dukshëm për ndërtimin e urave drejt Ballkanit Perëndimor.

“Edhe pse rruga e gjatë e vendit tonë partner, Maqedonisë së Veriut, drejt Bashkimit Evropian, pas më shumë se njëzet vitesh si vend kandidat, ende nuk ka përfunduar, ne mund që tani të japim sinjale se bashkëpunimi i ngushtë me partnerë të besueshëm në vlera është një investim i suksesshëm në të ardhmen tonë të përbashkët,” u shpreh Liminski.

E ardhmja e përbashkët evropiane

Partneritetet politike rezultojnë më të suksesshme kur përfshihen aktivisht aktorët lokalë, komunat, shoqatat, diaspora dhe iniciativat e shoqërisë civile. Në këtë kuadër, përfaqësues të bashkive nga të dy vendet diskutuan projektet e realizuara dhe planet për bashkëpunime të reja.

Stefanija Sokolovic, përfaqësuese e Bashkisë së Demir Kapisë, bëri të ditur se do të dërgohen vullnetarë në qytetin gjerman të Gronaut për shkëmbim përvojash në fushën e zjarrfikësve. Ndërkohë, nga Gronau pritet të vizitojnë Demir Kapinë alpinistë për të mësuar nga instruktorë vendas të licencuar.

Bashkia e Shkupit ka aktualisht disa projekte të përbashkëta me qytetin e Bonit. Sipas përfaqësuesit Nikola Ilievski, një nga temat e fundit të diskutimit ka qenë rinovimi i kopshtit zoologjik në Shkup. Ndërkohë, Bashkia e Gostivarit bashkëpunon me komunën gjermane të Oberhausenit.

Partnerë të besueshëm

Demir Osmani, përfaqësues i Bashkisë së Gostivarit, theksoi se bashkëpunimi përfshin fusha të tilla si arsimi dhe mbrojtja e mjedisit.

Nga ana tjetër, Marc Grunenberg, përfaqësues i Bashkisë së Oberhausenit, vlerësoi partneritetin me Gostivarin: “Kemi partnerë shumë të besueshëm në Gostivar dhe kemi bashkëpunuar në nivele të ndryshme. Janë realizuar vizita dhe shkëmbime të ndërsjella të administratave të qyteteve. Këtë vit po zhvillojmë për herë të tretë një shkëmbim intensiv rinor. Gjatë verës do të vijë sërish një delegacion nga Gostivari. Gjithashtu kemi organizuar shkëmbime mes brigadave profesionale të zjarrfikësve, me trajnime të përbashkëta në terren në të dy vendet.”/DW

Exit mobile version