Site icon Informohu siç duhet

Një nga vendet më të vizituara në Romë, Fontana di Trevi me pagesë nga 7 janari, ja çmimet

Nga 7 janari, turistët mund të duhet të paguajnë një biletë prej dy eurosh për të vizituar Shatërvanin e Trevit në Romë, ndërsa banorët e qytetit do të vazhdojnë të kenë akses falas. Sipas Corriere della Sera, kjo masë mund të sjellë rreth 20 milionë euro në arkën e qytetit.

Aktualisht, hyrja në zonë është e kufizuar me një maksimum prej 400 personash njëkohësisht. Me nisjen e vitit të ri, parashikohet krijimi i dy korsive të ndara, një për romakët dhe një për turistët, dhe pagesa mund të bëhet edhe me kartë krediti.

Këshilltari për Turizmin dhe Ngjarjet e Mëdha, Alessandro Onorato, dhe administrata e qytetit mbështesin këtë iniciativë, duke theksuar se fondet e mbledhura do të përdoren për përmirësimin e shërbimeve dhe ofertës turistike. Shatërvani i Trevit, një kryevepër baroku të vonë nga Nicola Salvi, u vizitua nga mbi 5.3 milionë persona në gjashtë muajt e parë të vitit, më shumë se Panteoni gjatë gjithë vitit 2024 (4,086,947 vizitorë).

Megjithatë, Bashkia thekson se vendosja e tarifës është ende një hipotezë dhe nuk ka vendim përfundimtar apo datë zyrtare.

Shoqata Codacons ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj pagesës, duke e konsideruar “monetizim të monumenteve dhe shesheve historike”. Sidoqoftë, Codacons mbështet kufizimin e hyrjeve për të parandaluar mbipopullimin dhe degradimin, duke e parë këtë si një mënyrë për një përvojë më të qetë për vizitorët.

Exit mobile version