Orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, Fredi Beleri ka lënë burgun e Fierit për të shkuar në Strasburg ku pritet të bëjë edhe betimin si eurodeputet.
Është një dalje e përkohëshme nga burgu për t’u betuar si eurodeputet. Ai ka dalë nga porta kryesore e burgut te Fierit ku është pritur nga familjarë dhe makina e ambasadës.
Beleri ka deklaruar për median greke se: Jam i lumtur e ju falënderoj për mbështetjen që më keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do i them në Athinë.
Ndërsa për median shqiptare është shprehur, se do të flasë në aeroport.
Ditën e djeshme Drejtoria e Burgjeve miratoi kërkesën 5-ditore për Fredi Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i Parlamentit Evropian.
Në bazë të njoftimit leja e Belerit nis sot 15 korrik, ku niset drejt Francës dhe përfundon më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.
Tre ditë më parë ishte media greke që publikoi lajmin se është dhënë një leje për Belerin për të fluturuar drejt Strasburgut, ndërsa Drejtoria e Burgjeve tha se kërkesa është ende në shqyrtim, por të dielën ka bërë njoftimin zyrtar të lejes për të.
Kujtojmë se Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së. Vetëm pak ditë më parë ai u bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik.Fredi Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023./Radar.al