TIRANË– Sadikaj është një nga personat që mbajtën të mbyllur në apartamentin në Astir, 21-vjeçaren Sajma Qordja, për nxjerrjen e së cilës nga banesa u desh ndërhyrja e RENEA-s.
Ai udhëtonte në makinë me Skerdi Sinën, gjithashtu i përfshirë në ngjarjen e 9 Janarit në Astir, kur policia u vendos në ndjekje të tyre. Gjatë ndjekjes policore nga rruga “Myslym Shyr” deri në zonën e ish-Bllokut, Joni Sadikaj përplasi me Audi Q8 disa automjete.
Por, ai arriti të largohej në këmbë duke i shpëtuar policisë, ndërsa Skerdi Sina, pasagjer në makinë, u vendos në pranga nga blutë. 21-vjeçarja u mbajt e mbyllur në apartament nga disa persona të identifikuar si Skerdi Sina, Ogert Alia, Arnold Jaho, Anduel Alia dhe Joni Sadikaj.
Në pranga ka rënë edhe Ermal Binjaku, pasi akuzohet si i përfshirë në ngjarje. Mbajtja e Sajma Qordjas në apartament u zbulua pasi 21-vjeçarja nuk hapte derën dhe u desh ndërhyra e forcave speciale për t’u futur në apartament. Brenda apartamentit janë gjetur armë zjarri, qese me shishe alkooli, pije energjike të konsumuara dhe një mjet identifikimi.
NJOFTIMI I POLICISË:
Nuk iu bindën urdhrit të Policisë, përplasën 3 automjete gjatë tentativës për t’u larguar, braktisën automjetin dhe hodhën në rrugë një armë zjarri, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, vë në pranga njërin prej tyre dhe vijon puna për kapjen e shtetasit të dytë, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit.
Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime të arsyeshme se personat në automjet mund të ishin të armatosur. Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”.
Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme. Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, shtetasit S. S., 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion. Ndërkohë, është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje./Radar.al


