Shëndeti i trurit bëhet më i ndjeshëm me kalimin e viteve, ndërsa faktorë si dehidratimi, qarkullimi i dobët i gjakut dhe inflamacioni kronik ndikojnë negativisht në funksionet njohëse. Sipas ekspertëve të ushqyerjes, disa pije mund të mbështesin përqendrimin, qartësinë mendore dhe mbrojtjen afatgjatë të trurit.
Ujë kokosi
Një nga pijet më të mira për hidratim, i cili lidhet drejtpërdrejt me fokusin dhe energjinë. Sipas infermieres së neurologjisë, Kiara DeWitt, elektrolitet natyrale – sidomos kaliumi – ndihmojnë në rregullimin osmotik dhe parandalimin e dehidratimit të lehtë që shpesh shoqërohet me lodhje dhe mjegullë mendore. Ajo e rekomandon si alternativë më të shëndetshme ndaj pijeve me ëmbëlsues artificialë.
Kefir
I njohur për përfitimet që sjell te tretja, kefiri mund të ndikojë pozitivisht edhe në humor falë probiotikëve. Dietologia Kim Blum shpjegon se probiotikët ndihmojnë në uljen e ankthit dhe simptomave depresive, duke mbështetur mikrobiotën e zorrëve dhe prodhimin e neurotransmetuesve.
Lëng panxhari
Falë përmbajtjes së nitrateve natyrale, lëngu i panxharit rrit oksidin nitrik në trup, i cili zgjeron enët e gjakut dhe përmirëson furnizimin me oksigjen të trurit. Kjo ndikon pozitivisht në kujtesë dhe qartësi mendore, thotë dietologia Carolina Schneider. Për një shije më të balancuar, mund të kombinohet me mollë ose smoothie të ndryshme.
Çaj jeshil
L-teanina, kafeina dhe katekinat e çajit jeshil punojnë së bashku për të përmirësuar fokusin dhe kujtesën. Blum thekson se L-teanina dhe kafeina rrisin valët alfa të trurit, duke sjellë qetësi të përqendruar, ndërsa katekinat veprojnë si antioksidantë që mbrojnë qelizat nervore.
Smoothie me manaferra
Manaferrat janë të pasura me flavonoide që mbështesin funksionin njohës dhe proceset që lidhen me kujtesën. Ekspertët sugjerojnë të kombinohen lloje të ndryshme manaferrash dhe t’i shtohet një burim proteinash për energji të qëndrueshme gjatë ditës.
Kafe
Kafeina stimulon sistemin nervor qendror, rrit vigjilencën dhe përmirëson përqendrimin duke bllokuar receptorët e adenozinës. Schneider paralajmëron të shmanget shtimi i tepërt i sheqerit apo aditivëve, për të ruajtur përfitimet kognitive.
Lëng rrushi
I pasur me polifenole, lëngu i rrushit ofron veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Dietologia Jennifer Pallian thekson se këto komponime mbrojnë qelizat nervore dhe mund të kontribuojnë në funksionim më të mirë të trurit.


