Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot një nismë të re të qeverisë që do të lidhet drejtpërdrejt me shfrytëzimin e hapësirave publike nga bizneset. Sipas tij, çdo karrige e vendosur në hapësirën publike do të shoqërohet me detyrimin për të kontribuar me një pemë në Fondin e Gjelbër, i cili do të krijohet nga qeveria e ardhshme.
Deklarata u bë publike në rrjetet sociale, ku Rama ndau pamje nga aksionet që po vijojnë në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje. “Atyre që shqetësohen për karriget u them bëni durim, shpejt do të vijë radha për to, por me kushte të reja. Për çdo karrige në hapësirën publike, do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbër,” – shkroi ai.
Kryeministri theksoi se lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm jo vetëm për funksionalitetin e bizneseve, por edhe për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe mikpritjes, në përputhje me standardet kombëtare. Kjo nismë, sipas tij, nuk kufizohet vetëm te zonat turistike, por do të shtrihet në çdo cep të vendit.
Në këtë kuadër, qeveria është duke përgatitur edhe një Rregullore Kombëtare, e cila do të përcaktojë qartë sipërfaqet që mund të shfrytëzohen nga bizneset. Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur në korrik dhe do të mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror, si pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0”.

