Site icon Informohu siç duhet

Nga fëmijëria në muzikë, bashkëpunimet me Dafinën apo Adelinën dhe kritika të forta për industrinë/ Gjergj Kaçinari në “Pa filtra”: Më shumë këngë se sufllaqe. Media fajtore

Kantautori dhe instrumentisti Gjergj Kaçinari, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij në muzikë që në moshën 4-vjeçare, ka qenë i ftuar në emisionin “Pa filtra”Radar.al, ku ka folur gjerësisht për karrierën, bashkëpunimet artistike, raportin me të atin muzikant të njohur, si dhe për realitetin e muzikës shqiptare.

Duke u ndalur te viti që lamë pas, Kaçinari e cilësoi 2025-ën si një vit interesant, luftarak dhe shumë intensiv, me aventura profesionale dhe produktivitet të lartë.
“Ka qenë një vit tepër luftarak, me aventura interesante profesionale dhe shumë produktiv. U përmbyll me një intensitet të madh dhe me sukses, në raport me masat që kemi secili. Si çdo vit tjetër, presim që të jetë akoma më i mirë,” – u shpreh ai.

I pyetur se si është të jesh djali i një muzikanti të famshëm, Kaçinari tha se kjo është njëkohësisht kënaqësi dhe përgjegjësi.
“Jam pothuajse në të njëjtën fushë, edhe pse kemi diferenca në gjërat që bëj. Kjo më ka detyruar të mat shumë herë hapat e mi, sepse njerëzit kanë krijuar pritshmëri pa bërë unë ende asgjë. Gjithsesi, ka qenë sfiduese dhe motivuese. Padyshim që është kënaqësi,” – theksoi ai.

Kaçinari shtoi se prej vitesh bashkëpunon me të atin në projekte të ndryshme, si festivale, projekte personale dhe koncerte, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një vlerë të shtuar artistike.

Duke folur për koncertin e Dafina Zeqirit, ai e cilësoi atë si shumë të bukur dhe interesant.
“Punën paraprake e bëjmë përpara dhe më pas vetëm e shijojmë,” – tha Kaçinari, duke treguar se kontakti i parë me Dafinën ka ndodhur gjatë festivalit të parë të RTK-së.
“Bashkëpunimi ishte shumë interesant, shumë i qetë dhe shumë i bukur. Dafina është një njeri fantastik, nuk e ndien kurrë peshën e saj, ishte personi i fundit që fliste. Kemi kaluar shumë bukur. Së shpejti do të ketë një koncert në Tiranë, që do të pasohet edhe nga projekte të tjera.”

Ai foli edhe për bashkëpunimin me Adelina Ismailin, duke treguar se lidhja me të ka qenë shumë e hershme.
“Adelina ka qenë një fenomen. Edhe pse isha shumë i vogël, e mbaj mend impaktin që kishte kur mori pjesë në festival në Shqipëri,” – tha ai.
Kontakti i parë profesional u krijua kur Adelina ishte anëtare e jurisë dhe Kaçinari orkestroi një nga këngët që ajo interpretoi. Më pas, një telefonatë nga bashkëshorti i saj, Vali, çoi në realizimin e koncertit, i cili rezultoi një sukses i madh.

Aktualisht, Kaçinari bëri të ditur se më 24 janar Adelina Ismaili do të mbajë një koncert në një ambient privat, ndërsa disa muaj më vonë do të vijë në një sallë të madhe, në të njëjtin format si koncerti në Prishtinë.
Ndërkohë, ai dhe grupi i tij ndodhen në tur në Kosovë, për të vijuar më pas në Maqedoni dhe disa qytete të Shqipërisë.

Në fund, Kaçinari ndau një opinion kritik për muzikën shqiptare, duke theksuar se problemi kryesor nuk është komercialja, por mungesa e procesit artistik.
“Edhe muzika komerciale mund të jetë e bërë mirë. Problemi është që shumë artistëve u mungon procesi për të shkruar tekstin dhe për ta regjistruar siç duhet një këngë. Fokusi është vetëm te objektivi: koncerte vere apo fitore festivalesh. Kjo e dëmton artin”, u shpreh ai.

Sipas Kaçinarit, asnjë këngë që i ka rezistuar kohës nuk është krijuar me objektiva të tillë.
“Prodhohet aq shumë muzikë, më shumë këngë se sufllaqe. Publiku merr atë që i ofrohet. Mediat kanë një përgjegjësi të madhe, sepse nuk i japin shansin të transmetohet gjithçka. Muzikë ka, por nuk ka hapësirë për t’u dëgjuar”, tha ai.

Ai pranoi gjithashtu se përgjegjësi kanë edhe vetë artistët e mirë që nuk prodhojnë vazhdimisht.
“Unë brenda një viti kam nxjerrë dy albume me grupin. Këtu është faji edhe i atyre që nuk prodhojnë kurrë”, përfundoi Kaçinari.

Exit mobile version