Site icon Informohu siç duhet

Nga fama te prangat/ Arrestohet aktori Mishel Prela pas përplasjes me policinë, rikthehet historia e tij e trazuar

Mishel Prela është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u përfshi në një incident të rrezikshëm rrugor, ku dyshohet se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave zyrtare, 40-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe, gjatë përpjekjes për t’u larguar, ka përplasur një automjet policie pranë sheshit “Wilson”, duke vënë në rrezik jetën e efektivëve.

Prela është një emër i njohur për publikun, veçanërisht për rolin e tij si protagonist në filmin Saimir, ku ka interpretuar krah aktorit të ndjerë Xhevdet Ferri. Megjithatë, jeta e tij jashtë ekranit ka qenë e mbushur me vështirësi dhe ngjarje të rënda.

Vetë aktori ka rrëfyer më herët se karriera e tij u ndërpre nga probleme personale dhe përfshirja në një konflikt që përfundoi me plagosjen e një personi, çka i kushtoi një dënim me burg. Ai ka treguar se ka qëndruar disa vite në qeli, në një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së tij.

Pas lirimit, historia e tij mori një tjetër kthesë dramatike, pasi u bë objekt i një atentati të rëndë. Sipas dëshmisë së tij, ai u qëllua disa herë me armë zjarri dhe i mbijetoi sulmit në rrethana fatlume, duke kaluar më pas një periudhë të gjatë rikuperimi në spital.

Në një rrëfim për emisionin Fiks Fare, Prela kishte treguar se jetonte në kushte të vështira ekonomike, në një qendër strehimi në Tiranë, duke përballuar probleme shëndetësore dhe financiare.

Exit mobile version