Site icon Informohu siç duhet

Nga atentatet te kanabisi, SPAK dërgon për gjykim grupin kriminal me 6 anëtarë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për një grup të strukturuar kriminal dhe ka dërguar për gjykim 6 persona, të akuzuar për disa vepra penale të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje, trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.

Hetimi, që i përket procedimit penal nr. 59/2 i vitit 2022, ka zbuluar një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura gjatë viteve 2020–2021, me përfshirjen e disa personave në tentativa atentatesh me armë zjarri dhe aktivitet të paligjshëm në fushën e narkotikëve dhe tregtisë së armëve.

Të pandehurit dhe akuzat përkatëse:
• Albert Zaja – Akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës në Fushë-Krujë (nëntor 2020), sigurim kushtesh për një tjetër vrasje të planifikuar, mbajtje pa leje të armëve dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
• Edison Muceku – Arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ekstraduar në mars 2025, akuzohet për sigurim kushtesh për vrasje dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
• Elvis Ndreca – Akuzohet për sigurim kushtesh për një atentat të planifikuar ndaj Durim Bamit dhe veprimtari brenda grupit kriminal.
• Armando Ndreca – I dyshuar si organizator dhe financues i prodhimit dhe shpërndarjes së 243 kg kanabis në Lezhë (tetor 2020), në kuadër të grupit kriminal.
• Deivis Bajramaj – Akuzohet për tregtim armësh dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal, me shitje edhe ndaj personave me precedent penal.
• Adrian Pikli – Arrestuar në Gjermani dhe ekstraduar në korrik 2024; akuzohet për tregti të armëve dhe përfshirje në grup kriminal.

Pushim i çështjes për dy të pandehur:

SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve ndaj Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa, të cilët fillimisht ishin nën hetim për përfshirje në vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier (1 shkurt 2021). Sipas prokurorisë, megjithëse ngjarja ishte organizuar nga një grup kriminal për të goditur një tjetër objektiv (Kelmend Kastratin), nuk u provua me siguri pjesëmarrja e këtyre dy personave në vrasje apo në organizimin e saj.

Hetimet për pjesëtarë të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje vazhdojnë veçmas, në kuadër të një procedimi të ndarë.

Exit mobile version