TIRANË– Në seancën e sotme në Kuvend pritet të raportojnë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, mbi raportin vjetor për vitin 2024.
Gjatë fjalës së tij Çela raporton se 2024-a ishte një vit i vështirë për Prokurorinë e Përgjithshme për shkak të numrit të ulët të prokurorëve edhe për shkak të procesit të vetingut.
“Viti 2024 ishte një vit me vështirësi jo të pakta për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, e më tej intensifikimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale, siç do të shihet në këtë raport.”-u shpreh ai.
Ndër të tjera Çela theksoi se pavarësisht kësaj, është përmirësuar bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkohë si prioritete institucionale kreu i Prokurorisë së Përgjithshme ka nënvizuar rritjen e hetimeve proaktive dhe përdorimin e teknikave të posaçme të hetimit, luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, korrupsionit, dhunës në familje dhe krimit kibernetik si dhe zbatimin e rekomandimeve të BE-së dhe Këshillit të Ministrave./Radar.al

