Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur thirrjen që vendet e tjera t’i bashkohen Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, ndërsa tensionet me Teheranin vijojnë të përshkallëzohen.
Në deklaratat e tij, Netanyahu theksoi se reagimi ndërkombëtar ka qenë deri tani i përmbajtur, por shtoi se disa vende “po fillojnë të lëvizin në atë drejtim”, duke mbështetur më aktivisht veprimet kundër regjimit iranian, sidomos për shkak të programit bërthamor dhe ndikimit të tij në Lindjen e Mesme.
Ai iu drejtua posaçërisht udhëheqësve evropianë, duke paralajmëruar për rrezikun që vjen nga Irani: “Tani ata kanë aftësinë të arrijnë thellë në Europë, ata tashmë kanë hapur zjarr ndaj vendeve evropiane, përfshirë Qipron… Ata po i synojnë të gjithë.”
Thirrja e kryeministrit izraelit vjen në një moment kur operacionet ushtarake mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit janë intensifikuar, me sulme ajrore dhe kundërsulme të vazhdueshme, duke rritur tensionet në të gjithë rajonin.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet, teksa përplasja ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë globale, tregjet e energjisë dhe balancat gjeopolitike.

