Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar ashpër homologun e tij australian, Anthony Albanese, duke e akuzuar për “braktisje” të komunitetit hebre të Australisë dhe për “tradhti” ndaj Izraelit. Deklaratat e Netanyahut, të bëra të martën, rrezikojnë të përkeqësojnë marrëdhëniet tashmë të tensionuara diplomatike mes dy vendeve, pas shpërthimit të luftës në Gazë.
Kritikat e tij vijnë një ditë pas vendimit të Izraelit për të anuluar vizat diplomatike të disa zyrtarëve australianë në Autoritetin Palestinez, si reagim ndaj njohjes së shtetit palestinez nga Australia dhe anulimit të vizës së një ligjvënësi izraelit.
“Historia do ta kujtojë Albanesen për atë që është: një politikan i dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, shkroi Netanyahu në llogarinë e tij në X.
Ligjvënësi izraelit kishte planifikuar të takohej me komunitetin hebre në Australi, i cili ka përjetuar rritje të sulmeve antisemitike që nga fillimi i konfliktit në Gazë më shumë se dy vjet më parë.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, e ka cilësuar vendimin e Izraelit për ndalim vizash si “reagim të paarsyeshëm” dhe ka akuzuar qeverinë izraelite për rritje të izolimit diplomatik të vendit të saj.
Situata humanitare në Gazë vazhdon të jetë e rëndë, me mbi 62,000 viktima palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, dhe me një krizë urie dhe zhvendosje masive të popullsisë. Ndërkohë, Izraeli mohon akuzat për krime lufte dhe gjenocid, megjithëse presioni ndërkombëtar ndaj tij është në rritje.
Kryeministri australian Albanese ka deklaruar më 12 gusht se Netanyahu po “mohon” krizën humanitare në Gazë dhe ka paralajmëruar se Australia mund ta njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, duke ndjekur shembullin e Francës, Britanisë dhe Kanadasë./rel


