Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar në një intervistë për i24 se ndihet i thirrur nga një “mision historik dhe shpirtëror”, duke shprehur lidhjen e tij të fortë me vizionin e Izraelit të Madh – një koncept që përfshin territore që sot përbëjnë Izraelin, pjesë të Palestinës, Jordanisë dhe Egjiptit.
Gazetari Sharon Gal i dhuroi Netanyahut një amuletë me “hartën e Tokës së Premtuar”, ndërsa kryeministri e quajti vizionin “shumë të rëndësishëm” për të.
Termi “Izraeli i Madh” u shfaq pas Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe ka përfshirë Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Gadishullin e Sinait dhe Lartësitë Golan. Ai është përdorur gjithashtu nga sionistët e hershëm si Ze’ev Jabotinsky, ideologu i partisë Likud.
Netanyahu tha se ndihet pjesë e një “misioni të brezave hebrenjsh” që ëndërruan rikthimin në tokën e shenjtë dhe për brezat që do të vijnë pas tyre. “Nëse më pyesni nëse ndjej një ndjenjë misioni, historik dhe shpirtëror, përgjigjja është po,” shtoi ai.


