Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është helmuar nga një ushqim i kontaminuar dhe do të vijojë detyrat e tij nga shtëpia për tre ditët e ardhshme, nën këshillën e mjekëve.
Lajmi u bë i ditur nga zyra e tij, pasi Netanyahu mungoi në mbledhjen e rregullt të kabinetit këtë mëngjes. Udhëheqësi 75-vjeçar u sëmur në banesë mbrëmjen e kaluar dhe iu nënshtrua menjëherë ekzaminimeve mjekësore. Gjendja e tij raportohet e qëndrueshme, ndërsa po merr trajtim me lëngje intravenoze për shkak të dehidratimit.
“Sipas udhëzimeve të stafit mjekësor, kryeministri do të pushojë në shtëpi për tri ditë dhe do të drejtojë punët qeveritare prej andej”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Netanyahu ka një histori të njohur problemesh shëndetësore: ai ka një stimulues kardiak që nga viti 2003, iu hoq prostata në dhjetor pas një infeksioni urinar dhe më parë ka trajtuar edhe një hernie.

