Site icon Informohu siç duhet

Nesër seanca plenare në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca paraqet kabinetin e ri qeverisës

Të mërkurën, më 19 nëntor 2025, është caktuar seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, që do të nisë në orën 14:00.

Ndërkohë, në orën 11:00 do të mbahet një seancë tjetër me disa pika të rëndësishme, si formimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të RTK-së dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri.

Sipas praktikave, Konjufca do të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe do të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.

Konjufca ka deklaruar se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por pa krijuar marrëveshje koalicioni. Qëllimi i tij është të sigurojë mbështetjen për Qeverinë, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe duke garantuar ekzekutiv së paku deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka njoftuar se nuk sheh mundësi për koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat sipas tij kanë “ndërtuar një urrejtje hibride ndaj tij”. Kurti do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, pasi dështoi më parë të sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit.

LVV-ja fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka numrin e mjaftueshëm të ulëseve për të formuar Qeverinë pa mbështetjen e partive të tjera. Rezultatet e zgjedhjeve:

Partia Demokratike e Kosovës: 24 ulëse

Lidhja Demokratike e Kosovës: 20 ulëse

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 5 ulëse

Nisma Socialdemokrate: 3 ulëse (garoi me AAK-në)

Lista Serbe: 9 nga 10 ulëset e garantuara për minoritetin serb

Ulëse të tjera për përfaqësuesit e minoriteteve të ndryshme.

Exit mobile version