Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video me momentet më të bukura nga tubimi i sotëm që çeli zyrtarisht fushatën elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, në sheshin “Skënderbej”, ku theksi u vu tek integrimi europian dhe vizioni për Shqipërinë deri në vitin 2030.
“Rruga drejt 11 majit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama përbri Videos.
Ngjarja nisi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në 12 qarqet, shoqëruar nga valle dhe këngë tradicionale. Më pas, reperi Noizy interpretoi këngën zyrtare të fushatës, e cila u lançua nga vetë Rama në rrjetet sociale.
Në fjalimin e tij, Rama theksoi se “Vota më 11 maj është votë për Shqipërinë anëtare të BE-së. Ne kemi në dorë ta mbyllim procesin e negociatave deri në 2027 dhe ta bëjmë Shqipërinë pjesë të familjes europiane brenda 2030-s.”
Ai shtoi se vetëm socialistët mund të mbrojnë drejtësinë e re nga “kënetat e vjetra politike” dhe se vota për PS-në është votë për zhvillim, dinjitet dhe barazi me qytetarët europianë.
“Pasaporta shqiptare e BE-së është dinjiteti i çdo shqiptari,” – u shpreh Rama, duke premtuar një realitet të ri për qytetarët shqiptarë në hapësirën europiane.