Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore (INPS) ka njoftuar se, duke nisur nga data 1 korrik 2025, kanë hyrë zyrtarisht në fuqi Marrëveshja dhe Rregullorja Administrative mbi sigurimet shoqërore mes Italisë dhe Shqipërisë, e nënshkruar në Romë më 6 shkurt 2024 dhe ratifikuar me Ligjin Nr. 29, datë 11 mars 2025.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm për garantimin e të drejtave të sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe pensionistët në të dy vendet.
Çfarë parashikojnë rregullat e reja?
Për shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri:
Aplikimet për pension (sipas marrëveshjes apo skemës shqiptare) dorëzohen vetëm online.
Ato do të trajtohen nga zyra territoriale përkatëse e INPS-it në Itali, bazuar në vendbanimin aktual ose punëdhënësin e fundit (nëse kanë qenë punonjës publikë).
Për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali:
Aplikimet për pension (sipas marrëveshjes ose skemës italiane) dorëzohen përmes ISSH-së në Shqipëri.
ISSH më pas i përcjell aplikimet në Zyrën Provinciale të INPS-it në Perugia, e specializuar për këtë proces.
Dokumentacioni i nevojshëm:
Për periudhat e sigurimit në Shqipëri para vitit 2012, kërkohet bashkëngjitja e një Deklarate të Historikut të Punësimit, si dhe çdo dokument tjetër që dëshmon punësimin.
Po ashtu, kërkohet një kopje e dokumentit të identitetit shqiptar, për identifikim korrekt nga autoritetet shqiptare.
Zyra kompetente e INPS-it ka vetëm detyrën ta përcjellë këtë dokumentacion për verifikim tek autoritetet shqiptare.


