Udhëtimi drejt vendeve të Europës pritet të ndryshojë ndjeshëm në ditët në vijim, pasi Bashkimi Europian do të bëjë plotësisht funksional nga 10 prilli 2026 Sistemin e ri të Hyrjes/Daljes (EES). Ky sistem do të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaporta me regjistrim dixhital të hyrjeve dhe daljeve për qytetarët jo-BE që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra.
EES parashikon regjistrimin e të dhënave biometrike, si imazhi i fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, së bashku me informacionet e dokumentit të udhëtimit. Qëllimi i këtij sistemi është forcimi i sigurisë kufitare, parandalimi i mashtrimeve dhe identifikimi i rreziqeve potenciale.
Sipas të dhënave nga Komisioni Europian, që nga nisja graduale e sistemit, mbi 24 mijë persona janë refuzuar në kufi për shkak të dokumenteve të parregullta ose mungesës së justifikimit të udhëtimit, ndërsa mbi 600 individë janë konsideruar si rrezik për sigurinë.
Sistemi zbatohet për qytetarët jashtë BE-së dhe zonës Shengen që qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, përfshirë turistët dhe udhëtarët për biznes. Megjithatë, përjashtohen shtetasit e BE-së, personat me leje qëndrimi, si dhe disa kategori të veçanta si personeli ushtarak apo ekuipazhet e transportit ndërkombëtar.
Autoritetet paralajmërojnë se në muajt e parë të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, me kohë pritjeje që në disa raste arrijnë deri në dy orë gjatë orareve të pikut. Për këtë arsye, udhëtarëve u rekomandohet të paraqiten më herët në aeroport.
Ndërkohë, edhe pse pasaportat biometrike nuk janë të detyrueshme, ato lehtësojnë procesin përmes përdorimit të kioska-ve automatike. Udhëtarët pa pasaporta biometrike do të duhet të kalojnë në kontrolle manuale dhe të japin të dhënat biometrike në vend.
Regjistrimi në EES kryhet në kufi, por për një procedurë më të shpejtë, disa vende ofrojnë edhe aplikacione që lejojnë paraprakisht ngarkimin e të dhënave deri në 72 orë para udhëtimit.
Ky ndryshim shënon një hap të madh drejt dixhitalizimit të kontrolleve kufitare në Europë, ndërsa synohet që me kalimin e kohës procedurat të bëhen më të shpejta dhe më efikase.

