Vdekja tragjike e futbollistit 16-vjeçar, Miguel Nazareno, në Guayaquil të Ekuadorit, po merr përmasa të reja. Fillimisht u raportua se adoleshenti kishte humbur jetën nga një “plumb qorr”, por 24 orë pas ngjarjes, babai i tij ka hedhur poshtë këtë version, duke deklaruar se djali u vra me qëllim.
Nazareno ishte pjesë e akademisë së të rinjve të klubit Independiente del Valle, një nga ekipet më të njohura të futbollit në vend. Klubi reagoi menjëherë, duke shprehur dhimbjen për humbjen e lojtarit të ri dhe duke e lidhur tragjedinë me gjendjen e pasigurisë në vend.
Por dëshmia e familjarëve ka tronditur opinionin publik. Babai i 16-vjeçarit tregoi se Miguel ndodhej në shtëpi, në zonën 15/K, kur një person i armatosur hyri brenda dhe e qëlloi në kokë. Ai tha se dëgjoi disa të shtëna armësh dhe, kur mbërriti, e gjeti të birin të plagosur rëndë. Pavarësisht transportimit të menjëhershëm në qendër shëndetësore, mjekët konfirmuan vdekjen e tij.
Autoritetet ekuadoriane kanë nisur një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
“Familja e Independiente del Valle shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Miguel Nazareno, lojtarit të ekipit tonë Independiente Juniors. Kujtimi yt do të mbetet gjithmonë në zemrat tona”, thuhet në njoftimin e klubit.


