Site icon Informohu siç duhet

Ndryshojnë rregullat e Maturës Shtetërore/ Forcohen kontrollet kundër kopjimit, lista e maturantëve publikohet më herët

Matura Shtetërore/ Mbi 27 mijë maturantë sot i nënshtrohen provimit të Matematikës

Rreth 26 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore në periudhën 2–23 qershor, ku do të zhvillojnë katër provimet e detyrueshme. Për këtë vit, Ministria e Arsimit ka miratuar ndryshime në rregulloren e provimeve, me synim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e rrjedhjes së tezave apo kopjimit.

Zëvendësministrja e Arsimit, Oriana Osmani, bëri të ditur se fokusi kryesor i rregullores së re është rritja e përgjegjësive të stafit administrues në çdo qendër provimi, që nga përgjegjësit e administrimit, sekretuesit, deri te përgjegjësit e kateve.

“Është thelbësore që çdo hallkë e procesit të jetë plotësisht e ndërgjegjshme për detyrën që ka. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur disa raste penalizimi, ndaj persona që nuk kanë përmbushur detyrimet nuk do të angazhohen më në vitin 2026,” tha Osmani.

Për maturantët, rregullat mbeten të pandryshuara: ndalohet përdorimi i pajisjeve teknologjike, si telefona celularë apo ora inteligjente, gjatë testimit.

Ndërkohë, Osmani njoftoi se po punohet edhe për rishikimin e përmbajtjes së provimeve, me përditësimin e fondit të pyetjeve nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), në përputhje me ndryshimet e vogla në programet mësimore. Nxënësve të klasave të 12-ta u janë shpërndarë tashmë teste model, për t’u përgatitur paraprakisht.

Një tjetër risi këtë vit është publikimi më i hershëm i listës së maturantëve, veçanërisht për nxënësit që nuk plotësojnë kriteret për të mbyllur me sukses maturën.

“Do të ketë komunikim institucional më të shpejtë. Emrat e nxënësve që nuk kalojnë maturën do të dalin më herët dhe nuk do të përfshihen në listën përfundimtare,” theksoi Osmani, duke shtuar se drejtuesit e shkollave kanë detyrim të ndjekin me vëmendje situatën e mbetësve.

Exit mobile version