Pasuritë e paluajtshme të ndërtuara pa leje, të cilat sekuestrohen dhe konfiskohen nga shteti, do të nxirren në ankand për t’u shitur nga qeveria. Kjo parashikohet në projektligjin e ri të hedhur për konsultim publik, i cili synon rregullimin e procedurave për administrimin dhe përdorimin e këtyre aseteve.
Sipas draftit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) do të ketë një rol të zgjeruar, duke u angazhuar jo vetëm në organizimin e ankandeve, por edhe në shpërndarjen e pasurive tek institucionet dhe entet publike, në përputhje me nevojat e paraqitura.
Projektligji parashikon gjithashtu mënyra të veçanta trajtimi për ndërtimet pa leje që kanë specifika të caktuara, si rastet kur në objekte ka njësi të shitura apo të zotëruara nga palë të treta, apo kur ekzistojnë marrëdhënie të pazgjidhura me ish-pronarët e truallit.
Në rastet kur objektet e ndërtuara pa leje janë përfunduar në strukturë dhe përdoren nga palë të treta, të cilat i kanë blerë njësitë me kontrata noteriale të lidhura përpara konstatimit të paligjshmërisë, drafti parashikon që këto pasuri të trajtohen përmes procesit të legalizimit dhe regjistrimit. Për këtë kategori objektesh, AAPSK do t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës vijimin e procedurave të legalizimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Sa i përket rasteve kur një ndërtim pa leje konfiskohet, por mbetet e hapur çështja e pronësisë së truallit, projektligji parashikon dy skenarë: nëse ekziston një marrëveshje e dokumentuar me pronarin e truallit, ajo do të respektohet; në mungesë të një marrëveshjeje, do të procedohet me shpronësim, sipas legjislacionit përkatës.
AAPSK do të marrë në administrim objektet e konfiskuara, duke i regjistruar, inventarizuar dhe ruajtur ato deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi destinacionin e tyre. Në këtë proces, agjencia do të vlerësojë përdorimin e pasurive, detyrimet financiare ndaj palëve të treta dhe pjesët takuese që rrjedhin nga marrëdhëniet ligjore ekzistuese.
Projektligji pritet t’i nënshtrohet diskutimit në komisionet parlamentare në muajin janar, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.


