Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar pasi dyshohet se i ka vënë flakën apartamentit të ish-partneres së tij.
Sipas autoriteteve, ai përdori lëndë djegëse pas një konflikti të fundit me të, duke shkaktuar një zjarr që solli dëme të konsiderueshme materiale në banesë. Ngjarja ndodhi në zonën “Corso Ho Chi Min”.
Si pasojë e flakëve, të dy, autori i dyshuar dhe ish-partnerja, mbetën të lënduar dhe u transportuan në spitalin “Guzzardi”, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas trajtimit mjekësor, 36-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Raguzës, ku po mbahet nën mbikëqyrje të autoriteteve gjyqësore.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti i vazhdueshëm dhe refuzimi i ndarjes nga ana e tij mund të kenë qenë shkaku kryesor i kësaj ngjarjeje të rëndë.

