Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet e tij për largimin nga jeta të gazetarit të njohur Aristir Lumezi.
MESAZHI I PLOTË:
“E nderuar Eleonora dhe familja Lumezi,
Mësova me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të Aristirit, i cili trishtoi të gjithë ata që e njohën personalisht, por edhe ata që e njohën nëpërmjet ekranit, shkrimeve dhe analizave të tij.
Gazetaria shqiptare humbi sot Kryeredaktorin që përcolli frymën perëndimore në shtypin e shkruar shqiptar përmes filozofisë së tij të drejtimit.
Aristiri ishte gazetari, reporteri i terrenit, redaktori, kryeredaktori dhe analisti që me të vërtetën nuk bëri kurrë kompromis. Sot, shqiptarët humbën njeriun e analizave të përcjella me guxim nëpërmjet maturisë së karrierës së pasforcuar në media.
Shqipëria do të ketë gjithmonë nevojë për modelin e profesionistit që ai përcolli në media. Unë besoj se të gjithë ata që bashkëpunuan me të dashurin tuaj të zemrës do ta mbajnë për shembullin se si duhet të shkruajnë e të mbajnë qëndrimet në raport me të vërtetën.
Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta!
U prehtë në paqe Aristir Lumezi!”, – shprehet Presidenti Begaj, në emër të të cilit u vendos edhe një kurorë me lule në arkëmortin e trupit të gazetarit Aristir Lumezi.
Kujtojmë se lajmi për vdekjen e gazetarit të njohur, Lumezi u bë i ditur ditën e djeshme, ku edhe Redaksia e Radar.al u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të afërmve.


