Mbretëria e Bashkuar do të udhëheqë një iniciativë evropiane për të rritur financimet për kapacitetet e ‘Deep Precision Strike’, raketa me precesion të lartë, në të gjithë Evropën. Nisma do të paraqitet në samitin e sotëm të liderëve të NATO-s në Ankara, njoftoi Londra në një deklaratë.
Kryeministri Keir Starmer do të mbledhë rreth një duzinë partnerësh evropianë, dhe të njoftojë se Aleatët do të angazhojnë 50 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme për të zhvilluar kapacitete për të forcuar mbrojtjen dhe parandalimin në të gjithë Aleancën.
“Investimet në armë precize me rreze të gjatë veprimi nga aleatët evropianë do t’i sigurojnë NATO-s armët më të përparuara që do të ketë në të ardhmen, me aftësinë për të goditur objektiva të paktën 300 km larg, dhe në disa raste përtej 2,000 km, me saktësi milimetrike”, thuhet në deklaratë.
“Iniciativa do të përmirësojë rrënjësisht aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s dhe është një provë e mëtejshme e angazhimit të Aleatëve për të siguruar një NATO më të fortë dhe më evropiane. Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur tashmë aftësitë e saj për goditje sulmuese precize me rreze të gjatë veprimi, duke angazhuar 3 miliardë paund deri në vitin 2030 në Planin e Investimeve në Mbrojtje. Iniciativa e re do t’u mundësojë Aleatëve Evropianë të ndajnë ekspertizën dhe përparimet teknologjike dhe të thellojnë bashkëpunimin industrial për të avancuar me shpejtësi aftësitë e NATO-s. Ajo gjithashtu do ta vendosë sulmet precize me rreze të gjatë veprimi në zemër të axhendës së mbrojtjes së NATO-s për vitin e ardhshëm.”
Investimi prej 3 miliardë paundësh në sistemet e armëve me rreze të gjatë veprimi, përfshin programet e Mbretërisë së Bashkuar në bashkëpunim me Gjermaninë, dhe projektin trepalësh “Stratus” me Francën dhe Italinë.


