Një avion supersonik eksperimental i projektuar për të fluturuar më shpejt se zëri pa prodhuar “bumin” tipik tronditës, ka kryer me sukses fluturimin e tij të parë mbi shkretëtirën e Kalifornisë Jugore, njoftoi NASA, duke e cilësuar këtë si një hap historik drejt epokës së re të udhëtimeve ajrore komerciale.
Fluturimi, i realizuar në bashkëpunim me gjigantin amerikan të industrisë së mbrojtjes dhe hapësirës, “Lockheed Martin”, kishte për qëllim të testonte stabilitetin dhe qëndrueshmërinë strukturore të avionit, i cili më vonë do të testojë fluturimet me shpejtësi supersonike.
Avioni, i quajtur “X-59”, është krijuar për të reduktuar zhurmën e fuqishme që shoqëron zakonisht kalimin e barrierës së zërit, duke e kthyer atë në një “goditje të lehtë” pothuajse të padëgjueshme për njerëzit në tokë.
NASA thekson se suksesi i këtij projekti mund të hapë rrugën për rikthimin e fluturimeve supersonike komerciale mbi tokë, të ndaluara që prej viteve ’70 për shkak të zhurmës tronditëse që shkaktonin.
Avioni “X-59”, me gjatësi rreth 30 metra, u ngrit nga baza “Lockheed Martin Skunk Works” në Palmdale, rreth 100 kilometra në veri të Los Anxhelosit, dhe u ul në Qendrën e Kërkimeve Fluturuese Armstrong të NASA-s, rreth 64 kilometra më tej.
Kujtojmë se fluturimi i parë supersonik në histori u realizua në vitin 1947, kur një avion i Forcave Ajrore Amerikane kaloi shpejtësinë e zërit (1.235 km/h). Por fluturimet e tilla u ndaluan mbi territorin amerikan për shkak të ankesave të qytetarëve për “bumet sonike” që trondisnin shtëpitë dhe dritaret.
Nëse testet e reja rezultojnë të suksesshme, NASA dhe Lockheed Martin mund të hapin rrugën për udhëtime që do të përgjysmojnë kohën mes qyteteve si Nju Jork dhe Los Anxhelos, duke shënuar një kthesë historike në transportin ajror.


