NASA ka publikuar një video-vizualizim që tregon momentet kritike të kthimit në Tokë të misionit Artemis II, ndërsa astronautët përgatiten për një nga fazat më të rrezikshme të fluturimit.
Sipas agjencisë amerikane, zbritja do të ndodhë në Oqeanin Paqësor, pranë Bregut Perëndimor të SHBA-ve, pas një rihyrjeje ekstreme në atmosferë.
Kthimi i kapsulës “Orion” pritet të jetë një provë e vërtetë për teknologjinë, pasi ajo do të hyjë në atmosferën e Tokës me një shpejtësi rreth 40,000 km/h, duke përballuar temperatura që arrijnë deri në 2,700°C.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, ka pranuar se kjo është faza më delikate e misionit:
“Mburoja e nxehtësisë duhet të funksionojë. Nuk ka plan B,” është shprehur ai.
Gjatë rihyrjes, kapsula do të përballet me një fenomen të njohur si “blackout komunikimi”, pasi një shtresë plazme e mbinxehur do të bllokojë përkohësisht sinjalet me Tokën.
Pas kësaj faze kritike:
- Do të hapen parashutat stabilizuese
- Shpejtësia do të ulet gradualisht
- Më pas do të aktivizohen parashutat kryesore
- Dhe në fund kapsula do të ulet në Paqësor
Rihyrja e Artemis II konsiderohet shumë më e vështirë se kthimet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, për shkak të energjisë shumë më të lartë të akumuluar gjatë udhëtimit përtej orbitës së ulët të Tokës.
Të gjithë sytë janë tashmë te ky moment vendimtar, ku javë të tëra përgatitjesh dhe teknologji e avancuar do të vihen në provë për sigurinë e ekuipazhit.
Animation released by NASA shows the process of the expected splashdown of the Artemis II crew in the Pacific Ocean https://t.co/cZbKMTDwTN pic.twitter.com/B0uSertKT8
— Reuters (@Reuters) April 10, 2026

