Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi. Tre bashkëatdhetarë, dy burra dhe një grua, humbën jetën në një aksident tragjik të ndodhur mesditën e së hënës (18 gusht) në autostradën Egnatia, në segmentin Komotini–Ksanthi.
Sipas mediave greke, tragjedia ndodhi në kilometrin 537.5, kur një kamion u përplas me dy automjete që kishin ndaluar në një radhë të gjatë prej 600 metrash. Përplasja ishte aq e fuqishme sa makinat shpërthyen menjëherë në flakë, duke u marrë jetën tre shqiptarëve që ndodheshin brenda.
Viktimat dhe pasagjerët e tjerë kishin udhëtuar nga Epiri drejt Evrosit për të marrë pjesë në një dasmë dhe fatkeqësisht humbën jetën në rrugën e kthimit.
Skena ka qenë rrëqethëse. Dëshmitarët okularë tregojnë se nga automjetet e përfshira në flakë dëgjoheshin thirrje të dëshpëruara për ndihmë, por askush nuk mundi t’i shpëtonte, pasi zjarri përhapej me shpejtësi.
Policia greke ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit, ndërsa lajmi ka tronditur rëndë komunitetin shqiptar në Greqi dhe familjet e viktimave.


