Forcat e Armatosura vijojnë pa ndërprerje angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin. Njësi të Komandës Mbështetëse, Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut dhe Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore janë dislokuar në zonat më të prekura, në ndihmë të qytetarëve.
Aktualisht, mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në qarqet Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Kurbin, si dhe në çdo zonë ku është konstatuar nevoja për ndërhyrje, me synim garantimin e sigurisë së banorëve dhe përballimin e situatave emergjente.
Në qarkun e Durrësit janë angazhuar 62 efektivë me 18 mjete, 5 motogomone, 12 agregate dhe 7 motopompa, prej të cilave 4 me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.
Në Gjirokastër po operojnë 34 efektivë, ndërsa një motopompë është vënë në funksion për normalizimin e situatës në lagjen “Granicë”.
Në fshatin Obot të Shkodrës, 9 efektivë me 2 mjete dhe një varkë po asistojnë komunitetin lokal.
Ndërkohë, në Kurbin është zhvilluar një operacion xhenierik për pastrimin e rrugëve, ku janë angazhuar 3 efektivë dhe 2 mjete.
Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë ndërhyrjet në terren për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.


