Prefektura Shkodër bën me dije se 24 orët e ardhshme janë vendimtare për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet dhe përmbytjet në qark. Të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje të menjëhershme, nëse do të jetë e nevojshme.
Bashkia Shkodër u bën thirrje banorëve të zonave pranë rrjedhave ujore dhe territoreve të ekspozuara ndaj përmbytjeve, veçanërisht në Njësitë Administrative Bërdicë, Dajç, Ana e Malit dhe Guri i Zi, për kujdes të shtuar. Aktualisht nuk raportohen problematika, por monitorimi në terren vazhdon pa ndërprerje.
Bashkia Malësi e Madhe raporton situatë të përmirësuar krahasuar me orët e paradites, ndërsa ekipet e bashkisë vijojnë monitorimin.
Bashkia Vau i Dejës ka evidentuar problematika si pasojë e daljes nga shtrati të Përroit të Glinës, ku uji ka pushtuar disa zona, por situata po përmirësohet me tërheqjen e ujit.
Në bashkitë Fushë Arrëz dhe Pukë, janë raportuar problematika të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut.
Prefektura Shkodër apelon qytetarët të tregojnë kujdes, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo situatë emergjente.


