Site icon Informohu siç duhet

Mori 5 mijë euro duke shantazhuar një zyrtar publik, arrestohet gazetari në Tiranë

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Portali 1”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin E.L., 37 vjeç, administrator portali, i dyshuar për shantazh dhe mashtrim.

Sipas njoftimit zyrtar, 37-vjeçari ka shantazhuar një punonjës të administratës publike, duke i kërkuar 5 mijë euro me qëllim fshirjen e disa shkrimeve të publikuara në portalin që ai administronte.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas kallëzimit të bërë nga i dëmtuari.

Policia bën me dije se i dyshuari u kap në zyrën e subjektit në Tiranë, menjëherë pasi kishte marrë shumën prej 5 mijë eurosh nga punonjësi i administratës publike.

Gjithashtu, bëhet e ditur se 37-vjeçari ka precedent të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.

Exit mobile version