Modelja e njohur hungareze, Barbara Palvin, ndau me ndjekësit e saj në Instagram eksperiencën e vështirë që kaloi me shëndetin e saj. Ajo tregoi se për vite me radhë përjetonte dhimbje të forta, lodhje dhe çrregullime të ciklit menstrual, duke menduar se simptomat ishin të zakonshme për të.
Pas kontrolleve rutinë gjinekologjike, mjekët zbuluan se Palvin vuante nga endometrioza, një gjendje që nuk diagnostikohet lehtë me ekzaminime të përgjithshme. Tre muaj më vonë, modelja iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pas së cilës raportoi lehtësim të simptomave dhe një cikël më të rregullt.
Barbara gjithashtu inkurajoi gratë që kanë simptoma të ngjashme të kërkojnë diagnozë dhe trajtim të hershëm, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes për të parandaluar ndërlikimet afatgjata. Ajo u shpreh e emocionuar për rikuperimin dhe gati të kthehet në punë, më e vetëdijshme për trupin dhe shëndetin e saj.


